Tragjedia që i mori jetën dy fëmijëve në një aksident rrugor ka nxitur reagim të fortë në Durrës, ku qindra qytetarë dolën në protestë pasditen e sotme.
Me pankarta në duar dhe fotografitë e të miturve, ata marshuan nga Drejtoria e Policisë Durrës drejt Bashkia Durrës, duke kërkuar më shumë siguri në rrugë dhe drejtësi për viktimat.
Protestuesit akuzuan institucionet për neglizhencë dhe kërkuan kontrolle më të forta në akset rrugore, duke theksuar se jeta e fëmijëve nuk mund të rrezikohet nga papërgjegjshmëria. Mesazhet e tyre ishin të qarta: ndalimi i aksidenteve fatale dhe rritja e ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve.
Zemërimi është shtuar edhe më shumë pas konfirmimit se drejtuesi i mjetit, Nikoll Radaçi, dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit. Përveç dy viktimave, një tjetër i mitur mbetet në gjendje kritike.
Banorët e zonës së Arapajt theksojnë se kjo nuk është një rast i izoluar, duke denoncuar shpejtësinë e lartë të automjeteve në zonat e banuara, që sipas tyre përbën një rrezik të përhershëm për jetën e këmbësorëve.


