Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat pranë Apolonisë, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe duke rrezikuar banesa, prona dhe sipërfaqe bujqësore.
Flakët kanë prekur edhe një pjesë të territorit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në pjesën lindore të tij. Përhapja e zjarrit drejt brendësisë së parkut është neutralizuar falë ndërhyrjes së punonjësve të parkut dhe forcave zjarrfikëse, duke shmangur avancimin e flakëve drejt zonës së monumenteve.
Situata mbetet kritike në zonat jashtë parkut arkeologjik. Të favorizuara nga era, flakët po përhapen në një sipërfaqe gjithnjë e më të madhe, duke djegur qindra rrënjë ullinj dhe sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.
Zjarri po avancon në drejtim të fshatit Kryegjatë, duke shtuar rrezikun për banesat dhe pronat e banorëve të zonës.
Përballë situatës, banorët janë përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për të mbrojtur banesat, tokat bujqësore dhe pasuritë e tyre nga flakët.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.


