Një zjarr ka rënë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në zonën e Syrit të Kaltër, Bashkia Finiq.
Ngjarja është shënuar rreth orës 00:05 të datës 6 shtator, në hyrje të zonës turistike, ku flakët kanë përfshirë disa ambiente tregtare.
Si pasojë e zjarrit janë shkrumbuar 4 kioska tregtimi private, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe ato të Policisë.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse, ndërsa në vend kanë shkuar edhe 2 mjete të Policisë, së bashku me forca policore.

Lufta me flakët ka zgjatur rreth dy orë dhe rreth orës 02:00 zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë plotësisht zjarrin.
Ndërkohë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një defekt elektrik, por shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet pas hetimeve dhe ekspertizës në vendngjarje.
Për momentin nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi katër kioska tregtare janë përfshirë nga flakët.
Autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të zjarrit.


