Pas publikimit të videos nga Vrojtuesit, ku shfaqej një i ri duke qëlluar një qen me pistoletë lodër me gogla, Policia e Gjirokastrës ka reaguar duke identifikuar dhe proceduar autorin e ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër ndërhynë menjëherë pas marrjes së informacionit dhe shoqëruan në ambientet e policisë shtetasin Dh. N., 26 vjeç, banues në fshatin Humelic.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 26-vjeçari kishte qëlluar me pistoletë lodër (me gogla) një qen në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”. Për këtë arsye ai u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Policia e Gjirokastrës falënderoi mediat dhe qytetarët për denoncimin e rasteve të tilla, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre është thelbësor për identifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të ligjit. Gjithashtu, u bë thirrje që çdo rast i paligjshmërisë të denoncohet në numrin 112, me garancinë për reagim të menjëhershëm nga strukturat e Policisë së Shtetit.


