Një histori tronditëse që deri më sot njihej vetëm pjesërisht ka nxjerrë në dritë detaje të reja mbi të kaluarën e Nertil Buzit, 35-vjeçarit që pak ditë më parë vrau me armë gjahu prindërit e ish-të fejuarës së tij, mori peng 24-vjeçaren dhe më pas i dha fund jetës.
Katër vite më parë, Buzi kishte qenë vetë viktimë e një pengmarrjeje brutale në Londër, ku u torturua për ditë me radhë nga një grup shqiptarësh, të cilët kërkonin 400 mijë paund për lirimin e tij.
Sipas gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, gjithçka nisi në fund të shtatorit 2022, kur një grup kriminal nga Manchesteri e bindi Buzin të takohej në një hotel në Lindje të Londrës, me pretendimin se do të zgjidhnin mosmarrëveshjet që lidhen me disa shtëpi kanabisi.
Por takimi rezultoi një kurth i mirëorganizuar. Sapo hyri në dhomën e hotelit, Buzi u lidh me zinxhir pas radiatorit, iu mbyll goja me shirit ngjitës dhe nisi kalvari i torturave.
Pengmarrësit i kërkuan të paguante 400 mijë paund, por pasi kuptuan se ai nuk i kishte paratë në Angli, i telefonuan familjarëve të tij në Shqipëri. Përmes videotelefonatave, ata i tregonin vëllait të Buzit pamjet e tij të lidhur dhe të dhunuar, duke e kërcënuar se do ta vrisnin nëse shuma nuk dorëzohej në Vlorë.
Në një tjetër telefonatë, torturat arritën kulmin, pasi autorët i shkulën thonjtë me pincë para kamerës për t’i detyruar familjarët të paguanin.
Vëllai i Nertil Buzit denoncoi menjëherë ngjarjen në Policinë e Fierit. Informacioni u përcoll me procedurë sekrete drejt Policisë së Shtetit, e cila në bashkëpunim me autoritetet britanike ngriti një operacion të përbashkët për shpëtimin e pengut.
Në operacion u angazhuan Policia Metropolitane e Londrës dhe Agjencia Kombëtare Kundër Krimit (NCA). Fillimisht u lokalizua sinjali i telefonit të Buzit, më pas u vendosën ekipe vëzhgimi jashtë hotelit, ndërsa dy agjente femra rezervuan dhoma për të identifikuar vendin ku mbahej peng.
Pasi u analizuan pamjet e kamerave të sigurisë dhe u identifikuan disa nga personat që hynin e dilnin nga hoteli, policia britanike hartoi planin e ndërhyrjes.
Gjatë mesnatës, forcat speciale hodhën fillimisht gaz në dhomë dhe më pas neutralizuan tre pengmarrësit që ndodheshin brenda. Nertil Buzi u gjet në gjendje të rëndë fizike si pasojë e torturave dhe u transportua menjëherë në spital.
Pas shpëtimit, ai bashkëpunoi me autoritetet britanike dhe u vendos në një “safe house”, si dëshmitari kryesor kundër grupit kriminal.
Për këtë ngjarje u arrestuan gjashtë shtetas shqiptarë, të akuzuar për rrëmbim personi, burgosje të rreme dhe kërcënim për vrasje. Megjithatë, dy vite më vonë, Prokuroria britanike u tërhoq nga akuzat kryesore dhe pesë prej tyre u liruan. Vetëm Nelid Arapi u dënua me 16 muaj burg për posedim kanabisi me qëllim shitjeje.
Sipas raportimit të Top Channel, mbeten dy hipoteza mbi dështimin e procesit: ose Nertil Buzi hoqi dorë nga dëshmia kundër pengmarrësve, ose prokuroria vlerësoi se e kaluara e tij kriminale mund ta diskreditonte si dëshmitar përpara gjykatës.
Historia e pengmarrjes së tij rikthehet sot në vëmendje pas ngjarjes së rëndë në Roskovec, ku Buzi vrau dy prindërit e ish-të fejuarës, mbajti peng vajzën dhe më pas u vetëvra, duke mbyllur në mënyrën më tragjike një histori të mbushur me dhunë dhe krim.


