Një 36-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali pasi u qëllua me armë zjarri nga pronari i një prone, gjatë një tentative grabitjeje në Baldissero d’Alba, në zonën e Cuneos.
Viktima është identifikuar si Gjovalin Lazri, i cili, sipas të dhënave të raportuara nga mediat italiane, kishte hyrë së bashku me disa persona të tjerë në një fermë që ishte në proces rikonstruksioni.
Sipas hetimeve paraprake, grupi dyshohet se kishte shkuar në pronë me qëllim vjedhjen e materialeve të ndërtimit, përfshirë pllaka, çimento, tjegulla, mjete pune dhe skela.
Pronari 35-vjeçar i pronës, Roberto Mollo, ndodhej brenda objektit për të mbikëqyrur materialet. Pasi konstatoi praninë e personave të paautorizuar dhe dëgjoi zhurma, ai mori një armë gjysmëautomatike dhe hapi zjarr.

Pronari i banesës : Roberto Mollo
Një prej plumbave goditi Lazrin, i cili mbeti i plagosur rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të emergjencës, 36-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.
Pjesëtarët e tjerë të grupit arritën të largoheshin nga vendngjarja, ndërsa nga kontrollet e para rezultoi se në pronë nuk ishte marrë asnjë material.
Kush ishte Gjovalin Lazri
Lazri jetonte prej disa kohësh në zonën veriore të Torinos, së bashku me partneren dhe djalin e tyre të vogël. Çifti drejtonte një bar në Corso Taranto në Torino.
Sipas raportimeve të mediave italiane, 36-vjeçari kishte pasur në të kaluarën precedentë për vepra penale kundër pasurisë.
Familjarët e tij, përmes avokates Roberta Sisimbro, janë shprehur të tronditur nga ngjarja. Sipas avokates, Lazri po përpiqej të linte pas problemet e së kaluarës dhe të riintegrohej në shoqëri.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes. Trupi i 36-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Torino, ku pritet të kryhet autopsia për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.
Hetuesit po punojnë gjithashtu për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e grupit dhe që u larguan nga vendngjarja pas të shtënave.


