Tag: mbeturina

  • Mungesa e koshave po e kthen Urën e Bratit në vendgrumbullim mbetjesh

    Mungesa e koshave po e kthen Urën e Bratit në vendgrumbullim mbetjesh

    Ura e Bratit, një nga destinacionet më të bukura natyrore në zonën e Vlorës, po vizitohet çdo ditë e më shumë nga turistë vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin të kalojnë kohë pranë ujërave të kristalta dhe peizazhit mahnitës të lumit.

    Megjithatë, rritja e fluksit të vizitorëve ka sjellë edhe një problem shqetësues. Për shkak të mungesës së koshave të mbeturinave në zonë, shumë persona po i hedhin mbetjet në lumë, mes gurëve dhe përgjatë bregut, duke ndotur një nga hapësirat më të bukura natyrore të vendit.

    Pamjet tregojnë shishe qelqi, kanaçe, qese dhe mbeturina të tjera të shpërndara në natyrë, duke rrezikuar jo vetëm ekosistemin e lumit, por edhe duke dëmtuar imazhin e një destinacioni që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje.

    Banorët dhe vizitorët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për vendosjen e koshave të mbeturinave dhe mirëmbajtjen e zonës, ndërsa u bëjnë apel edhe qytetarëve që të mos lënë pas mbetje, por të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së kësaj pasurie natyrore.

    Bukuria e Urës së Bratit meriton të mbrohet. Mjafton pak kujdes nga secili, që kjo perlë natyrore të mbetet e pastër dhe mikpritëse për të gjithë.

    https://www.instagram.com/reel/DacR4H6qnob/?igsh=N2M2cWQ5NzZwd2tv

  • Plazhi i Bunecit mbulohet nga mbeturinat, koshat të tejmbushur prej ditësh

    Plazhi i Bunecit mbulohet nga mbeturinat, koshat të tejmbushur prej ditësh

    Në kulmin e sezonit turistik, Plazhi i Bunecit po përballet me një situatë skandaloze. Koshat e mbeturinave janë lënë të tejmbushur prej ditësh, ndërsa mbetjet janë përhapur në zonën përreth, duke krijuar një pamje që nuk i shkon aspak një prej perlave të rivierës shqiptare.

    Denoncimi ka mbërritur në redaksinë e VROJTUESIT nga qytetarë dhe pushues, të cilët shprehen të revoltuar me neglizhencën e institucioneve lokale. Sipas tyre, ndërsa turistët shtohen çdo ditë, shërbimi bazë i pastrimit duket se është harruar nga Bashkia Himarë.

    Pamjet tregojnë qartë koshat e stërmbushur me mbeturina, të cilat kanë përfunduar edhe jashtë tyre. Përveç ndotjes vizuale, situata krijon edhe probleme higjienike, ndërsa temperaturat e larta e bëjnë gjendjen edhe më problematike.

    Qytetarët ngrenë pyetjen se si është e mundur që në mes të sezonit veror, kur promovimi i turizmit është në qendër të vëmendjes, Bashkia Himarë të mos arrijë të garantojë as pastrimin e rregullt të koshave në një plazh të frekuentuar si Buneci.

    Ndërsa reklamohet turizmi elitar dhe investimet në bregdet, realiteti që përballen pushuesit është ai i mbeturinave të grumbulluara dhe mungesës së kujdesit institucional. Banorët dhe turistët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, pasi mbeturinat prej kohësh janë kthyer problem në zonë.

    https://www.instagram.com/reel/DZsJQ5_MWRH/?igsh=d3BmY2xlOXlwZ3pm