Tag: Instituti i Shëndetit Publik

  • Konfirmohet rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri/ ISHP nis depistimin në Korçë

    Konfirmohet rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri/ ISHP nis depistimin në Korçë

    Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik në qarkun e Korçës, pas konfirmimit të rastit të parë me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri. Ekipet e specialistëve kanë mbërritur në terren për të identifikuar praninë e mushkonjave që transmetojnë virusin dhe për të marrë masa parandaluese.

    Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës dhe po merr trajtimin mjekësor. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i moshuari është pickuar nga një mushkonjë teksa qëndronte në një lulishte në qytet.

    Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, ai iu nënshtrua analizave laboratorike, të cilat konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.

    Pas konfirmimit të rastit, një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana ka nisur hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër. Qëllimi është të përcaktohet nëse në zonë është e pranishme mushkonja bartëse e virusit dhe të identifikohen zonat ku mund të nevojitet ndërhyrje.

    Në kuadër të masave parandaluese pritet edhe dezinfektimi dhe trajtimi i zonave ku mund të konstatohet prania e mushkonjave.

    Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar mund të mos shfaqin simptoma, ndërsa në raste të tjera mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella.

    Në raste më të rënda, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze. Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin në terren për të vlerësuar situatën dhe për të parandaluar raste të tjera.

  • Vapa përvëluese pushton vendin, ekspertët japin këshillat jetike për qytetarët

    Vapa përvëluese pushton vendin, ekspertët japin këshillat jetike për qytetarët

    Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë shtuar rrezikun për shëndetin e qytetarëve, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

    Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, duke rekomanduar shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 18:00.

    Mjekët këshillojnë qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të freskëta, të veshin rroba të lehta me ngjyra të çelëta dhe të përdorin kapele, syze dielli dhe ujë gjatë lëvizjeve jashtë banesës.

    Një rëndësi të veçantë i kushtohet hidratimit, pasi temperaturat e larta rrisin rrezikun e dehidratimit. Specialistët rekomandojnë konsumimin e sasive të mjaftueshme të ujit gjatë gjithë ditës, edhe kur nuk ndihet etja.

    Po ashtu, këshillohet shmangia e pijeve alkoolike, pijeve të gazuara dhe konsumit të tepërt të kafesë, pasi ato mund të favorizojnë humbjen e lëngjeve nga organizmi.

    Ekspertët sugjerojnë gjithashtu konsumimin e ushqimeve të lehta dhe të pasura me ujë, si frutat dhe perimet e freskëta, të cilat ndihmojnë organizmin të përballojë më mirë temperaturat ekstreme.