Tag: Instituti i Mjekësisë Ligjore

  • Ra në furnelë dhe u mbulua nga kromi në minierën e Bulqizës, nxirret trupi i pajetë i 40-vjeçarit

    Ra në furnelë dhe u mbulua nga kromi në minierën e Bulqizës, nxirret trupi i pajetë i 40-vjeçarit

    foto ilustruese

    Është nxjerrë nga thellësia e minierës së Tërnovës trupi i pajetë i minatorit 40-vjeçar Ilir Kalaveri, i cili një ditë më parë ra në një furnelë dhe u mbulua nga materiali i kromit në malin e Tërnovës, në Bulqizë.

    Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e së shtunës, teksa 40-vjeçari, banues në Klos dhe i punësuar si minator në një subjekt privat, ra në furnelë gjatë procesit të punës.

    Pas ngjarjes, grupet e kërkim-shpëtimit, shërbimet e Policisë dhe personeli teknik i subjektit minerar vijuan për orë të tëra kërkimet për lokalizimin dhe nxjerrjen e minatorit.

    Fatkeqësisht, pas kërkimeve intensive, ekipet arritën të gjejnë dhe nxjerrin trupin e pajetë të 40-vjeçarit, i cili kishte mbetur i bllokuar nga materiali i kromit.

    Njoftimi i Policisë:

    “Bulqizë/Informacion shtesë-Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, bëjmë me dije se, pas kërkimeve intensive të kryera nga ekipet e kërkim-shpëtimit, shërbimet e Policisë dhe personeli teknik i subjektit minerar ku ndodhi aksidenti, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit I. K., 40 vjeç, banues në Klos, i cili kishte rënë në një furnel gjatë procesit të punës, në vendin e quajtur Tërnovë e Madhe, bashkia Bulqizë, dhe mbeti i bllokuar nga materiali i kromit.

    Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Tiranë, për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor.

    Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.”

  • Gjendet i pajetë në lumin Mat ish-drejtuesi i Gardës së Republikës, ishte raportuar i humbur prej ditësh

    Gjendet i pajetë në lumin Mat ish-drejtuesi i Gardës së Republikës, ishte raportuar i humbur prej ditësh

    Një ngjarje e rëndë është raportuar këtë të diel, pasi në ujërat e lumit Mat, në fshatin Zenisht të Burrelit, është gjetur i pajetë një person që dyshohet të jetë Flamur Kolmarku, ish-ushtarak karriere dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës.

    Sipas informacioneve paraprake, 55-vjeçari ishte shpallur i humbur prej disa ditësh, pasi ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë pa lënë asnjë gjurmë. Familjarët kishin kërkuar ndihmën e autoriteteve dhe të qytetarëve për lokalizimin e tij, ndërsa kërkimet kishin vijuar në disa zona të vendit.

    Trupi i pajetë u konstatua nga banorë të zonës së Zenishtit, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe ekipet mjekësore, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e trupit nga lumi dhe transportimin e tij drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

    Burime paraprake bëjnë me dije se viktima dyshohet të jetë Flamur Kolmarku, megjithatë identifikimi zyrtar pritet të konfirmohet pas ekspertizës mjeko-ligjore.

    Sipas familjarëve, Kolmarku vuante nga demenca dhe probleme të theksuara me kujtesën. Mjekët që e kishin ndjekur kishin vlerësuar se ai mund të ishte orientuar drejt zonave ku kishte jetuar më parë, pasi persona me këtë gjendje shpesh rikthehen në vende të lidhura me kujtime të hershme.

    Të dhënat e fundit para zhdukjes tregonin se 55-vjeçari ishte parë duke lëvizur nga Bulqiza në drejtim të Burrelit dhe më pas në aksin Burrel–Urakë.

    Flamur Kolmarku ka shërbyer për më shumë se 20 vite në Gardën e Republikës, ku ka mbajtur funksione drejtuese dhe ka qenë pjesë e strukturave të sigurisë së institucioneve më të larta shtetërore.

    Ndërkohë, autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa shkaku i vdekjes do të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.