Moti i keq dhe stuhia e fortë kanë shkaktuar probleme në detin e Sarandës, ku Policia Kufitare ka ndërhyrë në tetë raste për t’u ardhur në ndihmë mjeteve lundruese që janë përballur me vështirësi.
Tre mjete lundruese që ndodheshin në zonën e Bunecit janë ndihmuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe janë transportuar drejt portit të Limjonit.
Ndërkohë, dy mjete janë përfshirë nga furtuna në zonën e Kepit të Qefalit. Në ndihmë të tyre ka shkuar skafi BP 11, ndërsa njëri prej mjeteve është rimorkuar drejt Portit të Limjonit.
Një tjetër mjet lundrues që rrezikonte të mbytej në Gjirin e Sarandës është tërhequr dhe ankoruar në portin e qytetit. Po ashtu, ndërhyrje është kryer edhe për dy mjete të tjera në zonën e quajtur “Pema e Thatë” në Ksamil.
Si pasojë e stuhisë, dy skafe që ishin të ankoruara në Portin e Limjonit janë zhvendosur rreth 100 metra larg bregut dhe më pas janë fundosur.
Shërbimet e Policisë Kufitare vijojnë patrullimin në det me të gjitha mjetet lundruese, për të ndërhyrë në rast të ndonjë avarie apo situate emergjente.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, është ndaluar çdo dalje në det e mjeteve lundruese, përfshirë mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla, në zonat e Sarandës, Ksamilit dhe Borshit.


