Dronët ukrainas kanë goditur sërish disa objekte të kompanisë ruse të shitjeve online Wildberries, duke shkaktuar të paktën 15 të plagosur, sipas autoriteteve lokale dhe themelueses së kompanisë.
Sulmet gjatë natës prekën qendra logjistike të kompanisë në Krasnodar dhe Nevinnomyssk, në rajonin e Stavropolit. Punonjësit u evakuuan pas goditjeve, ndërsa në të dyja zonat u raportuan zjarre të mëdha dhe re të dendura tymi.
Guvernatori i Stavropolit, Vladimir Vladimirov, deklaroi se pesë persona u plagosën në një kompleks magazinash në periferi të Nevinnomyssk dhe morën trajtim mjekësor. Në Krasnodar, sipas guvernatorit Veniamin Kondratyev u plagosën 10 persona, tre prej tyre në gjendje të rëndë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat ukrainase kishin goditur qendra logjistike në Krasnodar dhe Stavropol, të cilat, sipas tij, ishin të përfshira në furnizimin e ushtrisë ruse me komponentë për dronë, pajisje navigimi dhe materiale të tjera.
Guvernatori i Krasnodarit e cilësoi sulmin si një “sulm masiv”, ndërsa raportoi se mbetjet e një droni goditën edhe territorin e një kompanie në Armavir, ku një punonjës humbi jetën. Gjithashtu, një depo nafte u përfshi nga flakët.
Sipas autoriteteve lokale, fragmente dronësh dëmtuan edhe disa ndërtesa banimi në Krasnodar dhe dy banesa në fshatin Dinskaya, por nuk pati persona të tjerë të plagosur.

Sulmet ndaj objekteve të Wildberries janë të dytat brenda më pak se një jave. Gjatë fundjavës, dronët goditën magazinat e kompanisë në Tambov dhe Elektrostal, ku humbën jetën tetë persona.


