Policia Kufitare në Borsh ka ndëshkuar me masë administrative drejtuesin e një mjeti lundrues, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit në plazh.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë patrullimeve në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare evidentuan mjetin lundrues që kishte hyrë në hapësirën e rezervuar për larjen e pushuesve, duke krijuar rrezik për sigurinë dhe jetën e qytetarëve që ndodheshin në det.
Menjëherë pas konstatimit të shkeljes, efektivët ndërhynë për ndalimin e mjetit dhe kryen procedurat administrative ndaj drejtuesit të tij.
Në përfundim të veprimeve, autoritetet vendosën një gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia e Shtetit bën të ditur se kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë me intensitet gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të shmangin hyrjen në zonat e dedikuara për pushuesit, për të parandaluar incidente që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.


