Një zbulim tronditës është bërë në Vlorë, ku disa granata të ndryshkura dhe dy armë të mbuluara me rroba janë gjetur në anë të rrugës së Plazhit të Vjetër, në zonën e Kanalit të Motorit, në drejtim të Zvërnecit.
Armët dhe mjetet e dyshuara shpërthyese janë konstatuar nga një qytetare, e cila po kalonte në zonë. Sipas saj, fillimisht nuk e kishte kuptuar se për çfarë bëhej fjalë, ndërsa më pas ka mbetur e habitur kur ka dalluar granatat dhe armët.
Qytetarja ka treguar se ka shkelur pa dashje njërën prej granatave, e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Objektet janë gjetur pranë një prej akseve më të frekuentuara të qytetit, ndërsa pritet që autoritetet të kryejnë verifikimet dhe ekspertizën përkatëse për të përcaktuar origjinën dhe rrezikshmërinë e tyre.


