Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë të martë në zonën e Malit të Çikës, ku disa efektivë të Stacionit të Policisë Himarë kanë humbur orientimin gjatë një veprimi në terren.
Sipas informacioneve paraprake, grupi i policëve ishte nisur drejt zonës malore për kryerjen e një shërbimi, por gjatë lëvizjes në terrenin e vështirë nuk ka mundur të gjejë rrugën e kthimit.
Në këto kushte, efektivët kanë kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës, i cili është vënë në lëvizje për t’i orientuar dhe për t’i nxjerrë nga zona ku kishin mbetur.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me ngjarjen, ndërsa nuk dihet ende nëse efektivët janë rikthyer në mënyrë të sigurt apo nëse operacioni për lokalizimin e tyre vijon.
Pritet që autoritetet të japin detaje zyrtare për rrethanat e plota të incidentit.


