Një operacion i Policisë së Sarandës ka çuar në sekuestrimin e katër pistoletave tip “Glock”, të cilat dyshohet se po transportoheshin drejt qytetit të Sarandës.
Sipas informacioneve paraprake, operacioni është zhvilluar pasditen e së mërkurës në tunelin e Skërficës, në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë. Gjatë kontrollit të një automjeti, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar 4 armët e zjarrit.
Burime paraprake bëjnë me dije se armët kishin destinacion Sarandën, ndërsa deri më tani nuk është bërë i ditur numri i saktë i personave të shoqëruar apo të arrestuar. Mësohet se të paktën një prej të ndaluarve është nga Mallakastra.
Policia vijon hetimet për të zbardhur origjinën e armëve, destinacionin e tyre dhe personat e përfshirë në këtë rast. Pritet që në orët në vijim të ketë një njoftim zyrtar me detaje të mëtejshme mbi operacionin.


