Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pritet të lërë qelinë dhe të vijojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pas vendimit të GJKKO-së për kthimin e akteve të dosjes në Prokurori.
Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024, në kuadër të hetimeve për abuzimin e dyshuar me fondet e SASPAC.
Avokati i tij bëri me dije se vendimi i gjykatës sjell shuarjen e afateve të paraburgimit, ndërsa afatet e mëparshme do të bashkohen me afatet e hetimit paraprak.
Sipas mbrojtjes, vendimi nuk do të apelohet, ndërsa as Prokuroria nuk pritet ta ankimojë. Avokati deklaroi gjithashtu se Prokuroria kishte qenë dakord më herët me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
“Afatet e paraburgimit shuhen. Kemi më shumë se dy vjet dhe ato tashmë janë tejkaluar”, u shpreh avokati.
Mbrojtja e konsideron vendimin të balancuar, duke argumentuar se i jep mundësi Prokurorisë të vijojë hetimet dhe të provojë akuzat ndaj ish-ministrit.
Avokati tha se pret që Prokuroria të marrë masat për ekzekutimin e vendimit dhe Beqaj të kthehet në banesën e tij.
Ndërkohë, në të njëjtën dosje, edhe Ermal Kurtulaj ka dalë nga qelia, pasi GJKKO e ka lënë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.


