Një operacion antidrogë i zhvilluar në Athinë ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe një shtetasi grek, si dhe në sekuestrimin e më shumë se 347 kilogramëve lëndë narkotike. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve janë edhe paketimet e drogës, ku ishin vendosur fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe trafikantit kolumbian Pablo Escobar.
Operacioni u zhvillua më 7 tetor në disa zona të Athinës. Në pranga ranë dy shqiptarë, përkatësisht 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar.
Sipas autoriteteve greke, hetimet nisën me ndalimin e 44-vjeçarit shqiptar, të cilit iu gjetën 3 kilogramë e 215 gramë kokainë, që dyshohet se ishte e destinuar për shitje.
Më pas, policia arrestoi edhe shtetasin grek. Gjatë kontrollit të automjetit të tij u zbuluan 10 kilogramë e 800 gramë kanabis të llojit “Skunk” dhe 3 kilogramë e 900 gramë hashash “çokollatë”.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se lëndët narkotike të gjetura në automjet ishin siguruar nga 23-vjeçari shqiptar, i cili, sipas policisë, mund të vepronte edhe në bashkëpunim me persona të tjerë.
Kontrollet në apartamentin në Artemida
Hetimet vijuan në një apartament në zonën e Artemidës, pranë Athinës, ku qëndronte 23-vjeçari shqiptar. Sipas autoriteteve, banesa ishte marrë me qira nga një person ende i paidentifikuar për periudhën 6–13 tetor 2026.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, konkretisht 32 kilogramë e 65 gramë kokainë, 245 kilogramë e 700 gramë kanabis të llojit “Skunk” dhe 51 kilogramë e 600 gramë hashash “çokollatë”.
Gjatë ndërhyrjes, 23-vjeçari dyshohet se ka kundërshtuar punonjësit e policisë, duke i shtyrë ata në përpjekje për të penguar kontrollin e banesës.
Kontrolle të tjera u ushtruan edhe në banesat e dy të arrestuarve të tjerë, ku u gjetën sasi shtesë lëndësh narkotike.
I arrestuari 44-vjeçar me precedentë penalë
Sipas autoriteteve greke, 44-vjeçari shqiptar rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është akuzuar në të kaluarën për vrasje, grabitje, vjedhje, falsifikim, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe lëndët narkotike.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e drogës së sekuestruar, destinacionin e saj dhe identitetin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.


