Rreth 30 operatorë turistikë nga Ksamil janë mbledhur mëngjesin e sotëm (22 maj) përpara Bashkisë së Sarandës, në një protestë ku kërkuan zgjidhje të menjëhershme për përcaktimin e vendbazimit të skafeve.
Sipas tyre, ndonëse sezoni veror ka nisur dhe aktiviteti turistik është në rritje, Bashkia e Bashkia e Sarandës ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht vendin ku duhet të parkohen mjetet e tyre lundruese, duke krijuar pasiguri dhe pengesa në punë.
“Jemi taksapagues, jemi me licencë, jemi në rregull me kërkesat sipas ligjit, por nga bashkia ende nuk na kanë përcaktuar vendin se ku duhet t’i parkojmë skafet. Kjo është puna jonë, me këtë punë mbajmë familjet”, u shpreh një prej protestuesve.
Një tjetër operator thekson se vendimmarrja duhej të ishte bërë shumë më herët, për të shmangur situatën aktuale në kulmin e përgatitjeve për sezonin turistik.
“Kjo që kërkojmë ne sot duhej të ishte bërë më përpara, pasi jemi në prag të nisjes së sezonit turistik, edhe pse turistët kanë filluar të vijnë në Ksamil”, tha ai.
Operatorët shprehen gjithashtu kundërshtim për zhvendosjen e vendparkimit të skafeve larg qendrës së Ksamilit, ku ata kanë operuar deri më tani, duke argumentuar se kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik.
“Nuk jemi dakord të parkojmë skafet tona larg qendrës ku i kemi pasur deri tani”, përfunduan protestuesit.


