Me një trëndafil në dorë dhe me lule të hedhura në det, familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë u mblodhën në bregdet për të nderuar kujtimin e gazetarit Enrik Mehmeti.
Ceremonia përkujtimore u zhvillua në vendin ku Enriku kalonte një pjesë të madhe të kohës, duke promovuar Vlorën, detin dhe bukuritë e qytetit përmes punës së tij si gazetar.
Gjatë homazhit u mbajtën fjalë përkujtimore nga familjarë dhe miq, ndërsa u lexua edhe letra prekëse e vëllait të tij. Gjithashtu, të pranishmëve iu përcoll mesazhi i ngushëllimit i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili vlerësoi kontributin e Enrik Mehmetit në gazetari dhe dashurinë e tij për qytetin e lindjes.
Në një atmosferë të mbushur me emocion, të pranishmit hodhën lule në det, si simbol i kujtimit dhe respektit për gazetarin, i cili la pas jo vetëm një karrierë të vlerësuar, por edhe gjurmë të thella te kolegët, miqtë dhe qytetarët.
Enrik Mehmeti do të kujtohet si një profesionist i përkushtuar, një njeri i thjeshtë dhe një zë i rëndësishëm për Vlorën, ndërsa kujtimi i tij mbetet i gjallë te të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.


