Historia e Marie Tucit, vajzës mirditore që u përball me hetuesit e Sigurimit të Shtetit në vitin 1949, mbetet një nga dëshmitë më të rënda të represionit komunist ndaj grave shqiptare. E re, e arsimuar dhe me një qëndrim të palëkundur, ajo u torturua për muaj me radhë në hetuesi, deri sa humbi jetën pa u dorëzuar.
“Quhem Marie, e bija e Nikollës, gjallë, dhe e Dilës, gjallë. E datëlindjes 1928, banuese në katundin Ndërfushas, rrethi i Rrëshenit. E pamartueme, shtëpiake, me profesion student. E paarrestuar ose dënuar ndonjëherë…”.
Kështu nis dëshmia e saj në hetuesi, në tetor të vitit 1949. Një deklarim i thjeshtë, por që sot lexohet si akt guximi përballë një aparati shtetëror që kishte ndërtuar frikën si metodë sundimi.
Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, të administruara sot nga AIDSSH, pasqyrohet jeta e saj para arrestimit, por në to mungojnë gjurmët e torturave çnjerëzore që ajo përjetoi gjatë hetuesisë. Pikërisht aty, në qelitë e errëta të regjimit, Marie Tuci u përball me dhunë sistematike nga hetuesi Reshat Metohiti, por nuk pranoi të nënshtrohej.
Në dosje përmendet edhe prejardhja familjare, e konsideruar “problematike” nga regjimi:
“…Nga rrethi familjar kam të arratisur Gjon Marka Gjonin, të birin Ndue Gjon Markun, Ndue Pjetër Gjon Markun dhe të dënuem për aktivitet kundër pushtetit popullor, Dedë Gjon Marka”.
Marie Tuci vinte nga një shtresë e mesme fshatare. Në dëshminë e saj, ajo përshkruan rrugëtimin arsimor dhe jetësor: largimin nga fshati për të ndjekur shkollën në Shkodër, mbarimin e arsimit fillor dhe studimet në Shkollën Normale, të cilat i ndërpreu për arsye shëndetësore në vitin 1946. Pas kthimit në fshat, u angazhua në punët e rinisë dhe më pas filloi punë si mësuese në fshatin Gojan të Pukës, në prill të vitit 1947.
Por ky profil i një vajze të re, mësuese dhe e arsimuar, u pa si kërcënim nga regjimi. Pas arrestimit, Marie Tuci u torturua deri në shpërfytyrim. Kur u dërgua në spital, infermierja Davida, kushërira e saj, nuk arriti ta njihte nga gjendja e rëndë fizike.


