Një urdhër i fundit i nxjerrë nga kryetarja e Bashkisë Vlorë Brunilda Mersini, ka hapur debat mbi ligjshmërinë e kufizimeve të vendosura për qarkullimin e mjeteve të rënda, transportin e mallrave dhe aktivitetin e ndërtimit gjatë sezonit turistik.
Me urdhrin nr. 813, Bashkia ka vendosur masa kufizuese që prekin drejtpërdrejt bizneset dhe subjektet që operojnë në qytet gjatë muajve të verës. Por juristë dhe ekspertë të fushës ngrenë pikëpyetje nëse këto kufizime mbështeten realisht në ligj.
Në argumentimin e urdhrit janë cituar nenet 8, 9, 23 dhe 64 të ligjit “Për Turizmin”, si edhe ligji nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”. Sipas kritikëve, asnjë prej këtyre dispozitave nuk i jep kompetencë një kryetari bashkie për të kufizuar qarkullimin e mjeteve të rënda apo për të pezulluar aktivitetet e ndërtimit.
Sipas tyre, neni 9 i ligjit për turizmin përcakton kompetencat e ministrit përgjegjës për turizmin, neni 23 lidhet me inventarin e burimeve turistike, ndërsa neni 64 trajton stacionet e plazhit dhe autorizimet përkatëse. Në asnjë prej tyre nuk parashikohet e drejta e një kryetari bashkie për të vendosur ndalime apo kufizime të tilla.
Ekspertët theksojnë se neni 19 i ligjit për turizmin është ai që përcakton qartë detyrat e njësive të qeverisjes vendore në këtë fushë. Ky nen parashikon detyra si krijimi i inventarit të burimeve turistike, mbështetja e infrastrukturës turistike, sigurimi i informacionit statistikor dhe ruajtja e mjedisit, por jo ndalimin e ndërtimeve apo kufizimin e transportit.
Një tjetër pikë që ka ngjallur reagime është fakti se urdhri parashikon edhe mundësinë e përjashtimeve me autorizim të posaçëm. Kritikët e konsiderojnë këtë si një hapësirë diskrecionale që i jep kryetares të drejtën të vendosë rast pas rasti se kush mund të vazhdojë aktivitetin dhe kush jo.
Sipas tyre, nëse bizneset detyrohen të ndërpresin aktivitetin për disa muaj, lind pyetja se kush do të mbajë përgjegjësi për dëmet ekonomike, kontratat e pezulluara, kostot e punonjësve dhe humbjet financiare që mund të shkaktohen nga këto kufizime.
Subjektet e prekura nga urdhri kanë dy rrugë ligjore: t’i drejtohen gjykatës për të kundërshtuar vendimin ose të kërkojnë përjashtim përmes procedurave të përcaktuara nga Bashkia.
Debati mbetet i hapur, ndërsa bizneset dhe qytetarët presin një sqarim më të detajuar mbi bazën ligjore të masave që janë vendosur në prag të sezonit turistik.



