Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në bypass-in e Vlorës, pranë zonës së Kaninës, ku janë përfshirë tre automjete.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që një furgon dhe një automjet të përfshihen nga flakët dhe të digjen plotësisht.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një 35-vjeçar, i identifikuar me inicialet F.K., i cili ndodhej në një automjet tip BMW. Për shkak të dëmtimeve të rënda dhe deformimit të mjetit nga përplasja, viktima mbeti i bllokuar brenda automjetit.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për nxjerrjen e trupit, ndërsa ekipet e emergjencës dhe policisë kanë vijuar veprimet për menaxhimin e situatës.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Dyshohet se shkak është bërë një parakalim i gabuar i mjetit tip ‘Benz’ dhe shpejtësia ndërsa nga testi i alkoolit të dy drejtuesit kanë rezultuar 0.000 mg/l. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Video nga vendi i ngjarjes


