SPAK dhe BKH kanë vijuar kontrollet në disa banesa, kompani dhe institucione, në kuadër të hetimit që lidhet me denoncimet e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për biznesmenin amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe kompaninë shtetërore KAYO.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara më 2 tetor, hetuesit kanë sekuestruar telefona, kontrata dhe dokumente që tashmë janë pjesë e materialeve të administruara nga SPAK.
Me vendim të GJKKO-së, kontrollet janë shtrirë edhe në vilën e biznesmenit Ron Yeffet në periferi të Tiranës. Sipas raportimeve, gjatë kontrollit Yeffet ka bashkëpunuar me hetuesit dhe u ka dorëzuar edhe telefonin e tij.
Aksioni është shtrirë edhe në banesën e Ardi Veliut, administratorit të KAYO. Edhe pse Veliu nuk është gjetur në banesë, telefoni i tij është sekuestruar në ambientet e zyrës.
Kontroll është ushtruar gjithashtu në banesën e Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK. Ndërkohë, hetuesit kanë kryer kontrolle edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku janë sekuestruar kontrata dhe dokumente që lidhen me objektin e hetimit.
Hetimi vjen pas akuzave dhe materialeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka ngritur pretendime për një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve dhe për mënyrën e zhvillimit të procedurave të tenderimit, duke përmendur në këtë kuadër biznesmenin Ron Yeffet dhe kompaninë KAYO.
Në deklaratat e tij, Ahmetaj ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi procedura të ndryshme të prokurimit publik dhe lidhjet mes kompanive dhe personave të përfshirë në këto procese.
Nga ana tjetër, administratori i KAYO, Ardi Veliu, ka mohuar përfshirjen e kompanisë në një aktivitet të tillë, duke deklaruar se përfshirja e KAYO-s në trafikun e armëve është zero dhe se nuk ekziston as mundësia teorike që kompania të përfshihet në një proces të tillë.
Në lidhje me strukturën e aksioneve, Veliu ka shpjeguar se KAYO zotëron 20% të aksioneve, ndërsa 80% i përket kompanisë TIMAK, ku aksioner është edhe Ron Yeffet.
Edhe Arjeta Puca ka deklaruar më herët se marrëveshja me Yeffet parashikon një investim prej rreth 70 milionë eurosh. Sipas saj, investimi ka nisur dhe biznesmeni ka sjellë projekte të tjera që synojnë zgjerimin e aktivitetit të kompanisë.
Hetimet e SPAK vijojnë për të dokumentuar rrethanat dhe për të verifikuar pretendimet e ngritura, ndërsa materialet e sekuestruara pritet të analizohen nga hetuesit në funksion të procedimit.


