Gjykata e Fierit ka vendosur shuarjen e dënimit me 25 vite burg për Sokol Hoxhën, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 1997.
Vendimi u mor këtë të hënë nga gjyqtarja Aurora Tusha, pas shqyrtimit të kërkesës së 51-vjeçarit për konstatimin e parashkrimit të dënimit penal, për shkak të kalimit të afateve ligjore.
Sipas raportimeve edhe prokurorja e çështjes, Malbora Dinaj, mbështeti konstatimin e parashkrimit, duke argumentuar se kishin kaluar afatet e përcaktuara në legjislacionin penal.
Hoxha ishte dënuar në vitin 2000 me 25 vite burg për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj, pas një konflikti që dyshohet se nisi për një kasetofon makine. Pas krimit, ai u largua nga Shqipëria, ndërsa në maj të këtij viti u arrestua në SHBA gjatë operacionit ndërkombëtar të koduar “Globi”. Më 6 gusht u ekstradua në Shqipëri.
Megjithatë, shuarja e dënimit në Shqipëri nuk nënkupton lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu. Hoxha rezulton i dënuar edhe me burgim të përjetshëm nga drejtësia belge për vrasjen me paramendim të Brunilda Dervishit, ngjarje e ndodhur më 29 gusht 1997 në Bruksel.
Gjithsesi, burime nga IEVP Fier thonë se Hoxha nuk del nga burgu sot, madje mund të mos dalë më përgjatë jetës së tij. Kjo sepse një tjetër gjykatë, këtë herë jo shqiptare, e ka dënuar Hoxhën me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim.


