Një 41-vjeçar është arrestuar në Mallakastër, pasi dyshohet se kishte kultivuar 80 bimë narkotike Cannabis Sativa në një sipërfaqe toke shtetërore në fshatin Cfir.
Në pranga ka rënë shtetasi K. L., banues në Cfir. Sipas Policisë, 41-vjeçari dyshohet se i kishte mbjellë bimët në një parcelë pranë sipërfaqes së tokës që ka në pronësi.
Gjatë ndërhyrjes, pjesa më e madhe e bimëve narkotike u asgjësua me djegie, ndërsa një pjesë e vogël u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe u kodua “Burimi”, në kuadër të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin dhe i intensifikimit të punës operative, me objektiva parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të hapura dhe të mbyllura, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër finalizuan operacionin e koduar “Burimi”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi K. L., 41 vjeç, banues në fshatin Cfir.
41-vjeçari dyshohet se ka kultivuar 80 bimë narkotike Cannabis Sativa, në një sipërfaqe toke shtetërore, në afërsi të sipërfaqes së tokës që ka në pronësi në fshatin ku banon.
Pjesa më e madhe e bimëve narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e vogël u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


