Një automjet i parkuar është përfshirë nga flakët gjatë orëve të para të mëngjesit në lagjen “24 Maji” të Vlorës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, teksa automjeti, në pronësi të shtetases Silvana Nikaj, është përfshirë plotësisht nga zjarri.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Për këtë arsye, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit apo autorëve të mundshëm.
Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor po verifikon edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave pranë vendit të ngjarjes, me qëllim sigurimin e të dhënave që mund të ndihmojnë në dokumentimin e rastit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.



