Autokolona e Diasporës ka mbërritur këtë të premte në Shkodër, pas një udhëtimi nga vende të ndryshme të Europës, për t’iu bashkuar protestës qytetare që do të zhvillohet në mbrëmje në Tiranë.
Dhjetëra automjete të stolisura me flamuj kombëtarë u ndalën për pak minuta në hyrje të qytetit, ku pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për protestuesit që prej 20 ditësh janë të pranishëm në kryeqytet.
Sipas organizatorëve, pjesëtarët e diasporës kanë udhëtuar nga shtete të ndryshme europiane për të qenë pjesë e tubimit dhe për të përcjellë mesazhet e tyre ndaj qeverisë.
Një prej qytetarëve pjesëmarrës në autokolonë deklaroi se qëllimi i tyre është mbështetja e të rinjve dhe qytetarëve që protestojnë prej javësh në Tiranë.
“Jemi sot këtu për t’i dhënë mbështetje gjithë atyre të rinjve që prej 20 ditësh ndodhen në Tiranë dhe për t’i dhënë një mesazh të qartë qeverisë. Jemi këtu për t’u bashkuar dhe nuk do të ndalohemi deri në dorëheqjen e Edi Ramës. Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.
Pas ndalesës në Shkodër, autokolona vijoi udhëtimin drejt Tiranës, ku pritet t’i bashkohet protestës së paralajmëruar para Kryeministrisë.


