Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku dhe Kristjan Nikollin, të arrestuar në lidhje me ngjarjen e dhunës ndaj Eduard Kuçit.
Vendimi është marrë pas seancës për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg” për të dy personat.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Marku: E godita vetëm një herë, veprova në gjaknxehtësi
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, Jozefin Marku ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke e cilësuar veprimin si një reagim në gjaknxehtësi.
Sipas dëshmisë së tij, ai nuk e njihte më parë Eduard Kuçin dhe kontaktet mes tyre kishin nisur përmes rrjeteve sociale. Marku ka pretenduar se Kuçi kishte ofenduar familjen e tij.
“Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen”, mësohet të ketë deklaruar Marku.
Ai ka mohuar një dhunë të përsëritur, duke pretenduar se e ka goditur vetëm një herë.
“E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, ka deklaruar ai.
Nikolli mohon të ketë qenë në vendngjarje
Edhe Kristjan Nikolli ka dhënë dëshminë e tij përpara gjykatës, duke mohuar të ketë qenë i pranishëm gjatë konfliktit.
Nikolli ka deklaruar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ndodhej në një dasmë dhe se Jozefin Markun e ka mik.
“Unë atë natë që ka ndodhur ngjarja kam qenë në një dasmë, nuk kam qenë prezent në vendngjarje. Unë Jozin e kam mik, këtë e dinë të gjithë”, mësohet të ketë deklaruar Nikolli.
Gjatë dëshmisë së tij është pyetur edhe për municionin e gjetur në banesën e tij. Nikolli ka pretenduar se fishekët ishin të ndryshkur dhe të papërdorshëm.
“Fishekët që keni gjetur në shtëpinë time ishin të ndryshkur, nuk e di përse ishin aty”, ka deklaruar ai.
Hetimet vijojnë për konfliktin
Në kuadër të hetimit, autoritetet po verifikojnë edhe elementë të tjerë të ngjarjes, përfshirë përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar natyrën dhe shkallën e dëmtimeve trupore që mund të ketë pësuar Eduard Kuçi.
Ndërkohë, Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Sipas hetimeve, ai nuk e ka denoncuar fillimisht ngjarjen në polici, duke e paraqitur atë si një konflikt të lidhur me bllokimin e rrugës nga një automjet.
Pas verifikimeve të kryera nga policia, ndaj tij është ngritur akuza për moskallëzim krimi dhe vijon procedura për marrjen e deklarimeve të tij lidhur me ngjarjen.
Me vendimin e gjykatës, Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli do të qëndrojnë në arrest shtëpie gjatë vijimit të hetimeve, ndërsa pritet që veprimet hetimore të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e konfliktit dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.


