Banorët e Tragjasit raportojnë se aksesi drejt tokave të tyre bujqësore është bllokuar pas vendosjes së barrierave metalike nga kompania e cila po zbaton punimet në terren, duke i lënë të pamundur kalimin për të punuar parcelat dhe për të ushqyer bagëtinë.
Sipas tyre, situata është bërë shqetësuese, pasi çdo ditë vonesë po sjell dëme të mëdha në kulturat bujqësore, ndërsa rrezikohet edhe ngordhja e bagëtive për shkak të mungesës së aksesit në kullota dhe furnizim.
Banorët shprehen se nga ana e kompanisë u është komunikuar se për hapjen e rrugës duhet të dërgohen shkresa pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), duke e konsideruar këtë procedurë të gjatë dhe të pamjaftueshme për situatën emergjente në terren.
“Na kanë bllokuar rrugën. Na thonë të bëjmë shkresa në ARRSH, por deri atëherë na thahen të mbjellat dhe na ngordh bagëtia,” shprehen banorët, të shqetësuar për pasojat ekonomike.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të garantuar aksesin në tokat bujqësore dhe për të shmangur dëmet e mëtejshme në zonë.
Banorët theksojnë se situata vijon prej ditësh dhe se deri tani nuk është gjetur ende një zgjidhje konkrete në terren.


