Barcelona dhe Arsenal kanë marrë fitore të rëndësishme në kampionatet respektive, me katalanasit që dhuruan një spektakël golash në “Camp Nou”, ndërsa londinezët siguruan tri pikët falë golit të Bukayo Sakës.
Barcelona 5-2 Rayo Vallecano
Barcelona vijon formën perfekte në LaLiga, duke mposhtur 5-2 Rayo Vallecanon dhe duke regjistruar fitoren e tretë në po kaq ndeshje.
Miqtë befasuan të parët me golin e Sergio Camellos, por reagimi i katalanasve ishte i menjëhershëm. Raphinha barazoi shifrat, ndërsa Lamine Yamal përmbysi rezultatin.
Në pjesën e dytë, Barcelona vazhdoi dominimin. Një autogol i Florian Lejeune i dha avantazh më të sigurt vendasve, ndërsa Camello shënoi sërish për të rikthyer Rayo-n në lojë.
Raphinha realizoi golin e dytë personal, përpara se Yamal të vuloste fitoren 5-2 me një tjetër gol.
Me këtë sukses, Barcelona regjistroi fitoren e 21-të radhazi në shtëpi në kampionat, ndërsa vazhdon serinë pa barazime në LaLiga.
Aston Villa 0-1 Arsenal
Në Premier League, Arsenal mori një fitore minimale, por shumë të rëndësishme ndaj Aston Villës, duke triumfuar 1-0 në transfertë.
Golin e vetëm të takimit e shënoi Bukayo Saka, një minutë para përfundimit të orës së lojës, pas një aksioni të nisur nga Riccardo Calafiori.

Aston Villa pati disa momente të mira, por nuk arriti të konkretizonte rastet. Arsenal kontrolloi pjesën më të madhe të lojës dhe në fund administroi avantazhin deri në vërshëllimën finale.
Fitorja ishte e veçantë edhe për trajnerin Mikel Arteta, i cili festoi ndeshjen e tij të 250-të në drejtimin e Arsenalit në Premier League.
“Topçinjtë” regjistruan kështu fitoren e dytë radhazi në startin e sezonit, ndërsa Aston Villa mbetet pa pikë.


