SPAK ka nisur një hetim të ri ndaj Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale. Hetimi lidhet me të dhëna të zbuluara gjatë një tjetër procedimi penal dhe me një dosje të mbërritur nga autoritetet italiane, e cila, sipas raportimeve, përmban dyshime për pastrim parash dhe korrupsion.
Në kuadër të hetimeve, po verifikohen një sërë transaksionesh bankare dhe komunikimesh të gjetura në aparate telefonike, të cilat dyshohet se mund të ndihmojnë në dokumentimin e aktivitetit që po shqyrtohet nga organet e drejtësisë.
Sipas infromacioneve të deritanishme hetimi ka nisur pas mbërritjes së materialeve nga autoritetet italiane. Përmbajtja e plotë e dosjes nuk është bërë publike, ndërsa ende nuk ka detaje zyrtare mbi personat e tjerë që mund të jenë objekt verifikimi.
Sipas të njëjtit raportim, çështja mund të shtrihet edhe te persona të tjerë, përfshirë drejtues, por deri më tani nuk janë bërë të ditur emra të tjerë që mund të jenë nën hetim në këtë kuadër.
Hetimi i ri dhe çështja e mëparshme për pronat
Artan Gaçi ishte hetuar edhe më parë nga SPAK, pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri lidhur me dyshimet për tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të jugut të vendit.
Ai hetim u pushua nga SPAK, ndërsa vendimi u la në fuqi edhe nga gjykatat.
Çështja e re është e veçantë për nga objekti i saj, pasi lidhet me dyshime për pastrim të produkteve të veprës penale dhe me të dhëna të zbuluara gjatë një procedimi tjetër penal.
Hetimet vijojnë për të verifikuar transaksionet dhe komunikimet e administruara, si dhe për të përcaktuar nëse ekzistojnë elemente që provojnë veprën penale të dyshuar. Deri në një njoftim zyrtar nga organet e drejtësisë, pretendimet mbeten objekt hetimi dhe nuk përbëjnë prova përfundimtare të fajësisë.


