Kompania private e sigurisë “Myrto Security”, së cilës Policia e Shtetit i hoqi licencën pas episodeve të dhunës ndaj qytetarëve në Zvërnec, është pjesë e bashkimit të operatorëve që ka fituar një tender me vlerë rreth 2 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Sipas dokumentacionit të publikuar, OSSH ka njoftuar lidhjen e kontratës me bashkimin e kompanive “Juer Security” dhe “Myrto Security”. Kontrata ka si objekt ofrimin e shërbimit të sigurisë fizike për ndërtesat, asetet, njerëzit dhe pronat e OSSH-së dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal, në Drejtorinë Rajonale të Elbasanit.

Procedura tenderuese u shpall në gusht të këtij viti, ndërsa fondi limit ishte përcaktuar në 184.735.036 lekë, ose rreth 1.99 milionë euro. Një nga kriteret kryesore për pjesëmarrjen në garë ishte pajisja me licencën e kategorisë 1.3 A, e cila autorizon kompanitë private të kryejnë shërbime të sigurisë fizike.
Licenca iu hoq pas incidenteve në Zvërnec
Emri i “Myrto Security” u bë publik pas ngjarjeve të 30 majit 2026 në Zvërnec të Vlorës, ku një grup qytetarësh protestonte kundër ndërhyrjeve në zonë. Gjatë përplasjes me punonjësit e kompanive private të sigurisë “Myrto Security” dhe “Major Security”, u regjistruan episode dhune, përfshirë rastin e një qytetari që u tërhoq zvarrë.
Pas hetimeve administrative, më 1 qershor 2026, Policia e Shtetit njoftoi heqjen e licencave për të dyja kompanitë, duke argumentuar se ishin konstatuar shkelje të ligjit për shërbimin privat të sigurisë fizike.
Megjithatë, “Myrto Security” e kundërshtoi vendimin në rrugë gjyqësore dhe arriti të siguronte një masë sigurimi padie nga Gjykata Administrative, e cila pezulloi efektet e heqjes së licencës. Për këtë arsye, kompania vijoi të kishte licencën 1.3 A aktive dhe mundi të merrte pjesë në procedurën e tenderimit.
Burime nga Ministria e Infrastrukturës, të cituara nga “Boldnews.al”, kanë konfirmuar se licenca e kompanisë rezulton ende aktive për shkak të vendimit gjyqësor.
Kështu, kompania që u përfshi në një incident të rëndë dhune ndaj qytetarëve në Zvërnec është tashmë pjesë e një kontrate me vlerë afro 2 milionë euro për ruajtjen fizike të objekteve dhe aseteve të OSSH-së në Elbasan.


