Një filial i bankës “Raiffeisen” është grabitur paraditen e sotme në zonën e Komunës së Parisit, pranë kompleksit Kika, në Tiranë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:45, kur një person i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë, dyshohet se mori një shumë parash.
Sipas informacioneve të bëra publike autori kërcënoi fillimisht arkëtaren, e cila i dorëzoi paratë. Më pas, ai i drejtoi armën edhe rojës së sigurisë në hyrje, me qëllim që ta pengonte të ndërhynte apo të bënte lëvizje.
Pas grabitjes, personi i maskuar doli nga banka dhe u largua me monopatinë në drejtim të stadiumit “Dinamo”.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe ka orientuar shërbimet në terren për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili vijon të jetë në kërkim. Deri më tani nuk është bërë e ditur shuma e parave të grabitura.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:45, në zonën e Komunës së Parisit, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke të nivelit të dytë dhe, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë, dyshohet se ka marrë një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.


