Protesta kombëtare e 24 tetorit në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Gjatë pasdites, protestuesit kanë djegur kazanë mbeturinash në disa zona të kryeqytetit, kanë hedhur gurë dhe molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Protestat nisën me grumbullimin e deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike pranë selisë së kësaj force politike, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë. Pas mbërritjes përpara godinës së qeverisë, protestuesit dogjën ulëset e vendosura nga kryeministri Edi Rama në kuadër të thirrjes për dialog.

Pas qëndrimit për rreth një orë përpara Kryeministrisë, protestuesit e PD-së u zhvendosën drejt Ministrisë së Arsimit, ku ishte paralajmëruar edhe një tubim i studentëve për orën 14:00.
Pranë hyrjes së Ministrisë së Arsimit situata u tensionua, pasi protestuesit morën katër kazanë mbeturinash nga Rruga e Durrësit, u vunë flakën dhe i drejtuan në drejtim të forcave të policisë. Gjithashtu, në drejtim të efektivëve u hodhën gurë, ndërsa policia ndërhyri me ujë me presion.
Më pas, në zonë doli autoboti i ujit, ndërsa efektivët nisën përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve.
Tensionet u përhapën edhe në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, ku u dogjën kazanë mbeturinash në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, protestues u grumbulluan edhe në lulishten e sheshit “Skënderbej”, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në afërsi të Bashkisë së Tiranës.
Rreth orës 16:20, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte mbushur me forca të Policisë së Shtetit, kryesisht të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Një autobot ujëhedhës përparoi drejt turmës së mbledhur pranë lulishtes së sheshit “Skënderbej”, ndërsa policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës.

Në bulevard u panë gurë dhe bombola të përdorura të gazit lotsjellës. Disa protestues të maskuar u pozicionuan përballë forcave të FNSH-së dhe hodhën gurë në drejtim të efektivëve. Në disa zona vijuan të digjeshin kazanë mbeturinash, ndërsa policia krijoi kordone përpara ministrive dhe vendosi forca edhe pranë Ministrisë së Brendshme.
Gjatë përplasjeve në sheshin “Skënderbej”, disa të rinj thyen stola të vendosur si instalacion, duke përdorur pjesët e tyre dhe sende të tjera të forta për të qëlluar në drejtim të policisë. Sipas raportimeve nga protesta, në drejtim të efektivëve u hodhën edhe molotovë, ndërsa policia u përgjigj me ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Pjesa më e madhe e protestuesve u zhvendos në sheshin “Skënderbej”, duke qëndruar në distancë nga tymi dhe forcat e policisë të pozicionuara përgjatë bulevardit.
Tensionet e pasdites vijnë në ditën e protestës kombëtare, ku studentëve nga Tirana dhe qytetet e tjera u janë bashkuar edhe grupe të tjera qytetarësh. Protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa zhvillimet në kryeqytet janë shoqëruar me përshkallëzim të situatës dhe ndërhyrje të forcave të policisë.


