Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në fshatin Konaj, në Njësinë Administrative Fan të Mirditës, ku një mjek 50-vjeçar ka rënë pre e dhunës fizike.
Sipas informacioneve paraprake, mjeku Martin Prenga dyshohet se është sulmuar nga tre persona të maskuar, të cilët raportohet se kanë qenë të pajisur me shkopinj bejsbolli dhe armë. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur 50-vjeçari sapo kishte dalë nga banesa dhe nuk ndodhej në krye të detyrës.
Policia bën me dije se nga veprimet e para hetimore dyshohet që konflikti ka ndodhur për motive të dobëta dhe nuk ka lidhje me profesionin e të dëmtuarit si mjek.
Forcat e Policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Rreth orës 08:30, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, pas administrimit të informacionit të siguruar në rrugë operative për dhunimin e një shtetasi në fshatin Konaj, Mirditë, kanë nisur menjëherë hetimet, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi M. P., 50 vjeç, banues në Mirditë, me profesion mjek, është dhunuar fizikisht gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Po nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja nuk ka lidhje me profesionin e tij si mjek.
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.


