Beqir Devolli, 45-vjeçari që ndodhej në timonin e automjetit tip “Benz” që shpërtheu në flakë në Gjirokastër, ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt Tiranës. Ai dyshohet se ishte objektivi i atentatit, ndërsa personi tjetër që udhëtonte me të, Erigers Mela, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, Devolli po kthehej nga Tirana dhe ishte drejtuar për në banesën e tij në lagjen “Palorto”. Gjatë rrugës, rreth 700 metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi, në automjet është bashkuar edhe Erigers Mela.
Ky i fundit është përmendur edhe në një ngjarje të ndodhur rreth një vit më parë, kur automjeti i tij tip “Range Rover” u përfshi nga flakët në zonën e Dunavatit.
Kush ishte Beqir Devolli?
45-vjeçari njihej edhe me nofkën “Çilo Hunderri”. Sipas burimeve të cituara në raportimet mediatike, ai dyshohet se kishte lidhje me trafikun e lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Megjithatë, deri më tani, policia nuk ka dhënë një njoftim zyrtar që të konfirmojë këto dyshime apo të përcaktojë motivin e atentatit.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e shpërthimit, autorët e mundshëm dhe pistat që po shqyrtohen nga grupi hetimor.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.


