Një sasi prej 1 kilogram e 130 gramësh lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa është sekuestruar nga Policia e Elbasanit gjatë operacionit të koduar “Shitblerja”.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesën e 40-vjeçarit K. N., banues në Elbasan, i dyshuar për përfshirje në veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 1 kilogram e 130 gramë Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në doza të gatshme për shitje. Gjithashtu, Policia sekuestroi një peshore elektronike, një armë gjahu që dyshohet se mbahej pa leje, 71 700 lekë dhe 100 euro.
Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk ndodhej në banesë dhe është shpallur në kërkim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në kuadër të të njëjtit operacion janë proceduar në gjendje të lirë edhe dy persona, B. D., 37 vjeç, dhe A. S., 20 vjeç, të dy banues në Elbasan.
37-vjeçari u kap pranë banesës së 40-vjeçarit të shpallur në kërkim, ku dyshohet se kishte shkuar për të blerë lëndë narkotike. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një thikë.
Ndërkohë, në afërsi të banesës u kap edhe 20-vjeçari, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike që, sipas dyshimeve të Policisë, e kishte blerë nga 40-vjeçari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


