Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, në kuadër të Reformës në Drejtësi, duke vënë theksin te kufizimi i përdorimit të masës së arrestit me burg.
Rama tha se procedimi penal duhet të nisë nga liria dhe se gjykatat duhet të shqyrtojnë fillimisht masat më të buta të sigurisë. Sipas tij, për veprat që parashikojnë dënim deri në 3 vite nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim nën 5 vite nuk do të ketë arrest me burg.
“Procedimi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë, jo nga burgu si zanafillë.
Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të nisë nga arresti në shtëpi. Për veprat me dënim 3 vjet, nuk do caktohen masa shtrënguese. Nën 5 vjet s’do të ketë arrest me burg. Natyra e veprës nuk do mjaftojë më. Rreziku duhet të jetë konkret dhe aktual.
Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të caktojë gjendjen pasurore. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës ekzistojnë.
Paketa forcon edhe mbrojtjen e njerëzve me gjendje të cenueshme”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se paraburgimi, i cili sipas tij duhet të jetë masa e fundit, nuk duhet të jetë pikënisja e procedimit penal.
“Paraburgimi që sipas Kushtetutës duhet të jetë masa e fundit në Shqipëri është qendra. Kjo paketë është përgjigje konkrete ndaj problemit real. Paketa vjen si arkitekturë e vetme e koherente”, deklaroi Rama.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe rregulla të tjera për forcimin e kontrollit gjyqësor dhe garantimin e të drejtave të personave në procedimin penal.


