Një tjetër rast i dyshuar mashtrimi përmes platformave online është goditur nga Policia në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “INVESTING”.
Operacioni është zhvilluar në një ambient në Rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune, ku dyshohet se kryhej aktiviteti i mashtrimit të shtetasve të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian përmes platformave online.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona: E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç.
Ndërkohë, T. B., 45 vjeç, pronari i ambientit, është shpallur në kërkim, ndërsa E. A., 23 vjeçe, është proceduar në gjendje të lirë.
Gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.
Sipas të dhënave të hetimit, ambienti administrohej nga pronari në bashkëpunim me personat e përfshirë, me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për dokumentimin e plotë të veprimtarisë dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “INVESTING”.
Goditet një tjetër rast mashtrimi nëpërmjet platformave online.
Vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim pronari i ambientit dhe procedohet në gjendje të lirë 1 shtetase.
Sekuestrohen 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe një sërë veprimesh hetimore e procedurale, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “INVESTING”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një ambient, në rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit E. Xh., G. N., E. D. dhe E. H., si dhe shtetasen E. A., të cilët dyshohet se mashtronin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, nëpërmjet platformave online.
Nga hetimet rezultoi se ambienti ishte në pronësi të shtetasit T. B., i cili, në bashkëpunim me shtetasit e mësipërm, e administronte atë me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. B., 45 vjeç, ndërsa shtetasja E. A., 23 vjeçe, u procedua në gjendje të lirë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


