Bledar Cafi, 50 vjeç, është arrestuar në orët e para të mëngjesit në Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Muri i Lartë”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe BKH, nën drejtimin e SPAK.
Sipas hetimeve të SPAK, Cafi dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale. Për të, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Arrestimi i fundit nuk është hera e parë që emri i Bledar Cafit lidhet me hetime për trafik narkotikësh. Në vitin 2021, ai u arrestua në kuadër të një procedure për ekstradim drejt Italisë. Sipas raportimeve të kohës, Gjykata e Triestes e kishte dënuar më 4 qershor 2020 me 4 vite e 2 muaj burg për trafikim droge në sasi të mëdha.
Cafi është përmendur gjithashtu në lidhje me hetimet për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001. Sipas raportimeve të publikuara ndër vite, ai është akuzuar për përfshirje në këtë ngjarje, por nuk është shpallur fajtor për vrasjen për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.
Në të njëjtën çështje, djali i viktimës, Fatos Mustafaj, ishte dënuar me 14 vite burg, ndërsa më vonë Prokuroria e Përgjithshme kërkoi rishikimin e vendimit pas daljes së provave të reja që, sipas raportimeve të kohës, orientonin hetimin drejt personave të tjerë.
Emri i Cafit është përmendur ndër vite edhe në lidhje me një procedurë ndërkombëtare arrestimi. Në vitin 2021, raportimet e kohës bënin me dije se ai ishte arrestuar nga Interpol në Lyon të Francës, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Bledar Cafi
Në Shkodër, Cafi dhe familjarë të tij rezultojnë të lidhur me disa aktivitete biznesi. Ndër pasuritë e përmendura në raportimet e mediave është edhe kompleksi “Prince Of Lake”, i cili përfshin ambiente shërbimi dhe hotelerie.
Në vitin 2024, sipas informacionit të publikuar në lidhje me çështjen, një objekt trekatësh me sipërfaqe totale ndërtimi rreth 900 metra katrorë u konfiskua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme dhe vendim gjykate.
Ndërkohë, operacioni “Muri i Lartë” vijon edhe në Tiranë dhe Shkodër. Në kuadër të tij, autoritetet kanë ushtruar kontrolle edhe për lokalizimin e Indrit Dokles, i cili nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim.


