Gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të fuqishëm dhe shembjes së një godine të vjetër në zonën e Plakës në Athinë. Mes viktimave janë edhe tre shtetas me origjinë shqiptare.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, pak para orës 08:00, në një ndërtesë dykatëshe në rrugën “Lysikratous”, pranë Shtyllave të Zeusit Olimpik. Shpërthimi shkaktoi shembjen e godinës, ndërsa një kalimtar mbeti i plagosur lehtë nga copëzat e shpërndara.
Ekipet e emergjencës dhe forcat zjarrfikëse vijuan për orë të tëra operacionin e kërkim-shpëtimit nën rrënoja. Në një godinë pranë vendit të ngjarjes, zjarrfikësit arritën të nxjerrin dy gra, njëra prej tyre e moshuar, të cilat u transportuan në spitalin “Georgios Gennimatas”.
Sipas informacioneve të raportuara në Greqi, gjashtë personat që ndodheshin në godinë janë identifikuar.
Tre prej viktimave janë shqiptarë-amerikanë që ndodheshin në Athinë për turizëm. Bëhet fjalë për motrën dhe vëllanë Florin Hoxha dhe Florida Hoxha, si dhe Eris Canin, bashkëshorten e Florin Hoxhës.
Viktimat e tjera janë Ian Alexander Kirpatrick, bashkëshorti i Florida Hoxhës, si dhe Edmond Hings dhe Athina Papapresku, të cilët rezultojnë të jenë pronarët e godinës.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit, ndërsa grupet e emergjencës kanë përfunduar operacionet në zonën e godinës së shembur.


