Një 30-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi, sipas Policisë, kishte vjedhur një automjet në Tepelenë dhe, për t’i shpëtuar ndjekjes, goditi katër automjete, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe punonjësve të Policisë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:00, në rrugën “Pavarësia”, ku shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, gjatë patrullimit, kanë konstatuar një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, i cili kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Sipas njoftimit të Policisë, drejtuesi i automjetit, sapo ka konstatuar praninë e shërbimeve, ka shtuar shpejtësinë dhe ka tentuar të largohet, pavarësisht sinjalizimit për të ndaluar.
Gjatë largimit, automjeti ka goditur katër mjete të tjera. Drejtuesi e ka braktisur më pas automjetin dhe ka tentuar të largohet në këmbë, por është neutralizuar dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se personi i ndaluar, shtetasi M. K., 30 vjeç, ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Sipas Policisë, një ditë më parë ai kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’i largohej shërbimeve në Durrës.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Hetimit kanë bërë arrestimin në flagrancë të 30-vjeçarit.
Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja”, “Mosbindja e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.


