Ish-deputeti Myslim Murrizi ka publikuar në rrjetet sociale një video, për të cilën pretendon se tregon shefin e Komisariatit të Krujës, Elton Shahini, gjatë një përplasjeje fizike me një qytetar në Durrës.
Sipas Murrizit, ngjarja ka ndodhur rreth një muaj më parë, ndërsa personi që shfaqet në video duke udhëtuar me motor është pikërisht Shahini.
“Ky me motor që e rrahin në mes të rrugës në Durrës para një muaji si gomarin në duhan është shefi i Komisariatit Krujë, Elton Shahini dhe ish-shef i Komisariatit Nr. 1 në Tiranë”, shkruan Murrizi.
Në videon e plotë të publikuar prej tij, para përplasjes fizike dëgjohen edhe debate dhe fyerje të rënda mes personit që ndodhet në motor dhe drejtuesit të një automjeti. Sipas pamjeve, situata përshkallëzohet më pas në konflikt fizik.
Nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe nëse për këtë episod ka pasur ndonjë procedim apo hetim nga autoritetet.
Pamjet kanë shkaktuar reagime në rrjet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një sqarim zyrtar lidhur me atë që ka ndodhur.
Si ju duket kjo sjellje?


