Një konflikt i regjistruar në një servis automjetesh në fshatin Manati të Lezhës përfundon me përdorimin e armës së zjarrit, duke mbetur i plagosur punonjësi i servisit, Danjel Pikuli.
Sipas të dhënave të bëra publike në kuadër të hetimit, ngjarja nis pas një konflikti për pagesën e shërbimit. Dy persona, babë e bir, Gjergj dhe Seldo Voci, kanë dërguar automjetin e tyre për riparim në servis, ku më pas janë konfliktuar me punonjësin.
Debati dyshohet se përshkallëzohet dhe përfundon fillimisht në një përplasje fizike mes tre personave. Më pas, njëri prej dy të dyshuarve dyshohet se përdor armë zjarri dhe qëllon ndaj Pikulit.
Si pasojë, punonjësi i servisit plagoset në bark. Ai transportohet fillimisht në Spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa pas marrjes së ndihmës së parë dërgohet në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Sipas të dhënave të publikuara, ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas të shtënave, dy personat e dyshuar largohen nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Volkswagen”. Policia ndjek gjurmët e automjetit deri në zonën e Shënkollit.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit Lezhë-Laç, për të dokumentuar lëvizjet e automjetit pas largimit nga vendi i ngjarjes.
Gjergj dhe Seldo Voci janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë.


