Pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ Shtetëror, kompetencat e drejtimit të institucionit i janë deleguar përkohësisht një zyrtari të brendshëm.
Bëhet fjalë për Elvis Lilën, drejtor i Departamentit Operativ në SHISH, i cili është komanduar përkohësisht në këtë detyrë me kompetenca të kufizuara, deri në emërimin e drejtuesit të ri.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, Lilës i janë deleguar përkohësisht kompetencat administrative të drejtimit të SHISH.
Komandimi do të jetë në fuqi deri në momentin kur të emërohet drejtori i ri i institucionit. Ndërkohë, sipas raportimeve mediatike, për drejtimin e ardhshëm të SHISH janë duke u shqyrtuar disa kandidatura.
Në këtë periudhë, kompetencat e drejtuesit të komanduar lidhen kryesisht me çështje të administrimit të institucionit. Sipas raportimit, ato përfshijnë veprime administrative si firmosja e listëpagesave të stafit dhe punonjësve.
Kufizimi i kompetencave nënkupton se drejtuesi i komanduar nuk mund të ndërmarrë procedura apo vendime të rëndësishme që lidhen me veprimtarinë operacionale të SHISH.
Emërimi i drejtuesit të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror pritet të përcaktojë edhe drejtimin e institucionit pas largimit të Vlora Hysenit.


