Ergys Agasi do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” të caktuar më herët nga GJKKO. I njëjti vendim është marrë edhe për ish-efektivin e Policisë, Uljan Shpataraku.
Apeli i GJKKO-së shqyrtoi ankimin e Agasit ndaj vendimit të shkallës së parë dhe vendosi ta lërë atë në fuqi. Vendimi është marrë më 22 shtator 2026 nga gjyqtari Florjan Kalaja.
Në vendim thuhet se masa e sigurisë ndaj Agasit mbetet në fuqi, ndërsa palët kanë të drejtë të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
VENDIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues
monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për
çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e
personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të
sigurimit, si vijon:
– Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, më datë 22.09.2026.
Arrestimi i Agasit
Ergys Agasi u arrestua më 26 gusht në Durrës, gjatë një operacioni të zhvilluar nga SPAK dhe Policia. Në momentin e arrestimit, ai ndodhej në një automjet së bashku me ish-efektivin Uljan Shpataraku.
Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, automjeti me të cilin udhëtonte Agasi u ndoq nga autoritetet që nga Elbasani dhe u ndalua në zonën e Plepave, në Durrës.
Biznesmeni Agasi është nën hetim në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza për vepra penale që lidhen me një grup të strukturuar kriminal, konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, si dhe korrupsionin pasiv.
Hetimet për dosjen vijojnë, ndërsa SPAK ka ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore ndaj personave të dyshuar si të lidhur me çështjen.


