Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në aksin nacional Lushnjë-Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku janë përfshirë tre automjete.
Si pasojë e përplasjes, dy drejtues mjetesh kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lushnjës. Sipas të dhënave paraprake, të dy ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga dëshmia e një prej drejtuesve të mjeteve, e cila drejtonte një automjet tip Fiat, dyshohet se një automjet tip Benz po kryente një parakalim në korsinë në drejtim të Lushnjës.

Sipas saj, Benz-i ka prekur Fiat-in dhe më pas është përplasur kokë më kokë me një automjet tip Ford. Përplasja ka bërë që Ford-i të dalë nga rruga dhe të përfundojë në kanalin anësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë së Lushnjës, të cilët kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.


