Dy persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara gjatë 24 orëve të fundit, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes dhe tentativës për vjedhjen e automjeteve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë kanë finalizuar dy operacione policore, gjatë të cilave janë zbardhur tre raste të vjedhjes dhe tentativës për vjedhjen e automjeteve.
Në përfundim të veprimeve procedurale, janë arrestuar në flagrancë dy persona.
I arrestuari i parë, M. D., 63 vjeç, u kap nga shërbimet e Policisë duke tentuar të vidhte një automjet tip “Citroen”, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë. Automjeti është gjetur dhe sekuestruar nga Policia.
Në rastin tjetër, D. L., 40 vjeç, dyshohet se ka vjedhur në fshatin Bishan një automjet tip “Benz”, të cilin më pas e ka braktisur në qytetin e Orikumit.
Sipas Policisë, disa orë më vonë, në qytetin e Orikumit, 40-vjeçari dyshohet se ka tentuar të vjedhë edhe një automjet tip “Jeep”.
Policia bën me dije se strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë vijojnë punën për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë
Vlorë/Finalizohen në 24 orët e fundit, dy operacione policore për zbardhjen e vjedhjeve të automjeteve.
Arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar.
Si rezultat i punës intensive hetimore për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë kanë finalizuar 2 operacione për zbardhjen e 3 rasteve të vjedhjes/tentativës së vjedhjes së automjeteve.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan shtetasit:
- M. D., 63 vjeç, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur një automjet tip “Citroen”, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua;
- D. L., 40 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur në fshatin Bishan, 1 automjet tip “Benz”, të cilin e ka braktisur më pas në qytetin e Orikumit.
Gjithashtu, disa orë më vonë, në qytetin e Orikumit, ky shtetas dyshohet se ka tentuar të vjedhë një automjet tip “Jeep”.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë vijojnë punën për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.


