Vila në kompleksin “Green Coast” dyshohet se është në pronësi faktike të Belinda Ballukut dhe se është regjistruar në emër të Igli Tares. SPAK dyshon për përfitime përmes investimeve të kryera nga kompania e Arbër Abazit, e cila ishte pjesë e bashkimit fitues në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar hetimet ndaj të pandehurës Belinda Balluku, duke kërkuar sekuestrimin preventiv të një tjetër pasurie të paluajtshme në zonën e Palasës.
Bëhet fjalë për një vilë në kompleksin “Green Coast”, për të cilën SPAK dyshon se është në pronësi faktike të Belinda Ballukut, por është fshehur përmes dokumentacionit të pronësisë dhe regjistrimit në emër të shtetasit Igli Tare.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, vila është ndërtuar në një pasuri me sipërfaqe totale 478 m², prej të cilave 478 m² truall dhe sipërfaqe ndërtimi të regjistruara në dokumentacion.
SPAK bën me dije se, për fshehjen e kësaj pasurie, Balluku dyshohet se ka përdorur Igli Taren përmes një kontrate sipërmarrjeje të datës 26 tetor 2020, në vlerën 250 mijë euro, e cila përfshinte investimin deri në fazën e karabinasë.
Dyshimet për lidhjen me tenderin e Unazës
Hetimi lidhet edhe me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2.353.597.373,94 lekë pa TVSH.
Sipas SPAK, Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me funksionarë dhe anëtarë të strukturave të prokurimit, dyshohet se ka krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k., të shpallur fitues të procedurës.
Në kuadër të hetimit, SPAK dyshon se kompania “Alko Impex General Construction”, në pronësi të Arbër Abazit, ka marrë përsipër investime për përfundimin e vilës në Palasë.
Sipas preventivit të punimeve të administruar nga hetimi, vlera e investimit të marrë përsipër nga Arbër Abazi varion nga 288.616 euro deri në 410.526 euro.
SPAK dyshon se këto investime janë kryer në këmbim të favorizimit të kompanisë në procedurën e prokurimit publik.
Prona dyshohet se u regjistrua në emër të Igli Tares
Sipas hetimeve, pas investimeve për ndërtimin e objektit, janë kryer veprime të tjera që synonin krijimin e dokumentacionit të pronësisë në emër të Igli Tares.
SPAK pretendon se është përdorur një kontratë fiktive shitjeje, datë 12 shtator 2025, me qëllim fshehjen e përfitimit të dyshuar si produkt i veprës penale të korrupsionit.
Për këtë arsye, sipas Prokurorisë së Posaçme, Balluku dyshohet se nuk e ka deklaruar këtë pasuri, pavarësisht detyrimit ligjor për deklarimin e saj.
GJKKO vendos sekuestrimin e vilës
Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 591, datë 09.09.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë.
Pasuria është e regjistruar në Zonën Kadastrale 1739, me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148, me sipërfaqe totale 478 m².
SPAK sqaron se Belinda Balluku vijon të jetë e pandehur edhe për rastet e tjera të dyshuara të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, si dhe për akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Më herët, SPAK kishte sekuestruar edhe një tjetër vilë në zonën e Dhërmiut, e cila sipas hetimeve dyshohej se zotërohej fshehurazi nga Balluku dhe figuronte në emër të Igli Tares.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025 për veprat penale të dyshuara në ngarkim të Belinda Ballukut.
Sipas njoftimit, hetimi ka evidentuar të dhëna për veprime të kundërligjshme në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
SPAK thekson se nga veprimet hetimore, përfshirë provat dixhitale dhe metodat speciale të hetimit, kanë rezultuar të dhëna për fakte të reja penale.
Prokuroria e Posaçme vijon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe fakteve që janë objekt i këtij procedimi penal.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.


