Punonjës të administratës gjyqësore në disa qytete të vendit kanë bojkotuar punën këtë të mërkurë, në shenjë proteste për vonesat në marrjen e pagave mujore.
Pas bojkotit të administratës në gjykatat e Tiranës, protestës i janë bashkuar edhe punonjës në Fier dhe Vlorë. Ata kërkojnë kalimin e pagës së muajit shtator, e cila sipas tyre duhej të ishte ekzekutuar më 3 shtator.
Punonjësit shprehen se vonesa lidhet me procesin e shqyrtimit të rritjes së pagave të gjyqtarëve, ndërsa kërkojnë zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.
Në Fier, punonjësit kanë paralajmëruar se bojkoti do të vijojë pa afat, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ndërkohë, në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë, sekretariati dhe administrata gjyqësore kanë ndërprerë punën. Për pasojë, është kufizuar edhe shërbimi në sportele, ndërsa pas orës 15:45 shërbimi do të ofrohet vetëm për rastet urgjente.

Sipas të dhënave, në Gjykatën e Vlorës do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë, ndërsa shërbimet e tjera do të jenë të kufizuara.
Në administratën e kësaj gjykate janë të punësuar 61 persona, pa përfshirë gjyqtarët.
Punonjësit paralajmërojnë vijimin e bojkotit edhe në ditët në vijim, nëse situata e pagave nuk zgjidhet.


